Rreth Strukturave

Rreth Strukturave

Për shkak të kompleksitetit të procesit të negociatave, Shqipërisë i kërkohet t’i qaset me seriozitet zhvillimit të tyre.

Për menaxhimin e këtij procesi kërkohet pikësëpari ngritja e një kuadri ligjor për strukturat negociuese. Këto duhen ngritur e duhen mbështetur me burime njerëzore të mjaftueshme për t’i bërë ballë përmbushjes së detyrave gjatë zhvillimit të negociatave. Gjithë kjo kërkon jo vetëm ekspertizë, por parashikimin e një morie procedurash që mundësojnë vijimin e pandërprerë të punës.

Për këtë qëllim, me VKM Nr.749 datë 19.12.2018 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e Traktatit të Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, është ngritur kuadri ligjor për strukturat negociuese.

Struktura e negociatave e krijuar sipas këtij vendimi ka si qëllim arritjen e këtyre objektivave:

  • të realizojë procesin e shqyrtimit të përafrimit të legjislacionit të brendshëm  me “acquis” të Bashkimit Evropian (screening);
  • të përcaktojë qëndrimet negociuese të Republikës së Shqipërisë për secilin kapitull të “acquis” të Bashkimit Evropian;
  • të negociojë dhe përfundojë Traktatin e Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Struktura përgjegjëse për negociatat sipas këtij vendimi përbëhet nga:

  • Komiteti Shtetëror për Integrimin Evropian;
  • Delegacioni Shtetëror;
  • Grupi Negociator;
  • Misioni i Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
  • Sekretariati i Integrimit Evropian;
  • Grupet Ndërinstitucionale të Punës;
  • Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian.

Ndërkohë me VKM Nr.94 datë 20.05.2019 “Për ngritjen, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian” janë ngritur tashmë 33 grupe ndërinstitucionale pune për 33 kapituj negociues.

Një rol të veçantë në strukturën e negociatave zënë gjithashtu Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, si koordinatori kombëtar për integrimin evropian dhe Kryenegociatori, i cili do të kryesojë grupin negociator gjatë zhvillimit të negociatave në nivel teknik.

Aktualisht janë hartuar dhe projekt-aktet për ngritjen dhe funksionimin e Grupit Negociator, Sekretariatit të Integrimit Evropian dhe Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian, akte ende në proces konsultimi.