Negociatat
Çfarë janë negociatat për anëtarësim?
Anëtarësimi në BE kërkon përmbushjen e “Kritereve të Kopenhagës” të cilat kërkojnë nga vendi kandidat:
- Të sigurojë institucione për të garantuar demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin e mbrojtjen e minoriteteve (Kriteri Politik);
- Të sigurojë ekonomi tregu funksionale e të aftë për të përballuar konkurrencën në tregun e BE-së (Kriteri Ekonomik);
- Të ketë kapacitete administrative dhe institucionale të afta për të zbatuar legjislacionin e BE-së (acquis) dhe të jetë në gjendje të marrë përsipër detyrimet që burojnë nga anëtarësimi.
Kriter tjetër për anëtarësim përbën dhe aftësia e BE-së për të përthithur anëtarë të rinj. Komisioni Evropian monitoron rregullisht përmbushjen e këtyre kritereve, ndërsa procesi i anëtarësimit kalon nëpër disa etapa kyçe deri sa vendi kandidat të konsiderohet plotësisht në gjendje për t’u bërë pjesë e Bashkimit.
Negociatat e anëtarësimit qëndrojnë në themel të këtij procesi. Ato përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së (acquis), zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim.
Përmbushja e kritereve të anëtarësimit çon në zhvillimin gjithpërfshirës politik, social dhe ekonomik të vendit.
Negociatat zhvillohen në konferenca ndërqeveritare mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare të BE-së dhe atyre të vendit kandidat. Vendi kandidat nuk negocion mbi legjislacionin e BE-së në vetvete (mbi acquis dhe standardet e Bashkimit) por mbi modalitetet e përafrimit dhe zbatimit efektiv të tij.
Negociatat kalojnë nëpër tre etapa kryesore:
- Në shqyrtimin analitik të legjislacionit (Screening);
- Në hapjen dhe zhvillimin e tyre për çdo kapitull të acquis;
- Në mbylljen e negociatave për çdo kapitull dhe nënshkrimin e Traktatit të Aderimit.
Zhvillimi i negociatave të anëtarësimit është një sipërmarrje që kërkon angazhimin maksimal të të gjithë institucioneve shtetërore në vend, përfshirjen e shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit, akademisë si dhe informimin e vazhdueshëm të qytetarëve.
Etapat e Negociatave
Proçesi Screening, ndryshe vlerësimi anlitik i nivelit të harmonizimit të legjislacionit vendas me acquis të BE-së, shënon fazën e parë të negociatave të anëtarësimit. Screening shvillohet në tre hapa: në takimet shpjeguese, takimet dypalëshe dhe përmbyllet me raportin screening.
Negociatat çelen vetëm pas vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së dhe pasi vendi kandidat ka plotësuar kriteret për çeljen. Ato zhvillohen në bazë të 35 kapitujve negociues. Vetëm pas mbylljes së negociatave për të gjithë kapitujt negociues, vendi kandidat është gati për anëtarësim.
Mbyllja zyrtare e të 35 kpitujtve shënon momentin formal të përfundimit të negociatave, që mundëson kalimin në hapin përfundimtar, në Traktatin e Aderimit mes BE-së dhe Shqipërisë. Traktati përmban gjithë angazhimet e vendit si dhe klauzolat tranzitore të përkohshme, sipas rastit. Më pas ai nënshkruhet në konferencën ndërqeveritare të thirrur nga Presidenca e Këshillit të BE-së dhe ratifikohet nga Shqipëria dhe çdo vend anëtar i BE-së.
Kapitujt e negociatave
Takimi Shpjegues i përfunduar
Takimi Dypalësh i përfunduar
Raporti Screening i finalizuar