Historiku
Historiku
- Format e asistencës së Bashkimit Evropian – Periudha 1991-2001
Ndihma financiare e ofruar nga Bashkimi Evropian përbën shtyllën kryesore mbështetëse për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. BE është donatori më i madh në Republikën e Shqipërisë dhe mbështetja financiare e këtij blloku vendesh vazhdon të rritet nga viti në vit. Qëllimi i saj është mbështetja e Shqipërisë në procesin integrues të vendit, duke synuar forcimin e shtetit të së drejtës dhe stabilizimin demokratik, vendosjen e standardeve europiane si dhe zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Gjatë viteve ’90, asistenca e Bashkimit Evropian u mundësua kryesisht nëpërmjet programit Phare si dhe nëpërmjet formave të rëndësishme të asistencës që kanë përfshirë ndihmë për sigurinë ushqimore, ndihmë humanitare në raste emergjence, mbështetje për bilancin e pagesave, për zhvillimin e zgjedhjeve brenda standardeve në vend, asistencë për projekte në fushën e arsimit si dhe kredi nga Banka Evropiane e Investimeve. Shuma totale e asistencës financiare për Shqipërinë gjatë kësaj periudhe është mbi 912 milion euro.
- Periudha 2001-2006 – Procesi i Stabilizim-Asociimit dhe Programi CARDS
Ndihma e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, deri në fund të viteve ’90, mundesohej nëpërmjet përdorimit të rregulloreve të programeve të ndryshme, duke shkaktuar kështu mungesë koordinimi dhe probleme në rritje për menaxhimin efikas të fondeve.
Nisur nga ky shqetësim si dhe nga nevojat e reja të vendeve të Ballkanit Perëndimor, BE në vitin 1999 lançoi një iniciativë të re të quajtur Procesi i Stabilizim-Asociimit (PSA), proces i cili do të mbështëste të 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, Bosnjë-Hercegovinën, Macedoninë e Veriut (në atë kohë ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), Kroacinë, Serbinë dhe Shqipërinë. Ky proces, kishte për qëllim vendosjen e marrëdhënieve më të ngushta ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të lartëpërmendura, nëpërmjet Marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit (MSA).
Instrumenti thelbësor që mbështeti Shqipërinë gjatë PSA-së që prej vitit 2001, ishte programi CARDS. (Community Assistance for Reconstruction, Development and Stabilisation).
Për çdo vend ballkanik, asistenca është fokusuar në mbështetjen e reformave dhe ndërtimin e institucioneve të nevojshme për të zbatuar detyrimet që përmblidhen në Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit. Shuma e vënë në dispozicion për këtë program për periudhën 2000 deri 2006 për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është rreth 4,65 miliardë euro dhe alokimet e fondeve të këtij programi për Shqipërinë në periudhën 2001-2006 janë rreth 280 milion euro në formën e grantit (falas, pa detyrim kthimi).
Kjo paketë financiare e alokuar për Shqipërinë, ashtu siç përcaktohet edhe në Programin Indikativ Shumëvjeçar 2002-2004 (MIP), ka si qëllim mbështetjen gjatë Procesit të Stabilizim-Asociimit, duke përfshirë dhënien e kontributit për një zhvillim të përgjithshëm social-ekonomik. Asistenca menaxhohet në mënyrë të centralizuar nga struktura e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë.
Programi CARDS parashikon tre forma të zbatimit të programit:
- Të centralizuar– ku rolin e autoritetit kontraktues e luanin shërbimet e Komisionit Evropian në Bruksel (projektet në fushën e doganave, tatimeve dhe arsimit (TEMPUS));
- Të dekoncentruar– ku rolin e autoritetit kontraktues e luante Delegacioni i BE-së në Tiranë (shumica e projekteve të CARDS). Procesi i dekoncentrimit zgjati për një kohë relativisht të gjatë dhe kalimi në një strukturë të re menaxhimi ka qenë një nga arsyet kryesore për vonesat në fillimin e zbatimit të programeve CARDS 2001 dhe 2002;
- Të decentralizuar– ku rolin e autoritetit kontraktues e luanin autoritetet lokale. Programi i Zhvillimit të Komuniteteve Lokale (LCDP), zbatohej në mënyrë të decentralizuar nga PMU-ja, pranë Fondit të Zhvillimit Shqiptar (FZHSH).
Programi CARDS funksionon në dy nivele:
- në nivel kombëtar ku do të quhej CARDS Kombëtardhe
- në nivel rajonal, ku do të quhej CARDS Rajonal.
CARDS Kombëtar
Bazuar në Dokumentin Strategjik për Shqipërinë, Komisioni Evropian ka vënë në dispozicion në kuadrin e Programeve CARDS për vitin 2001- 2006 shumën grant për Shqipërinë sipas viteve të ndara si më poshtë:
- CARDS 2003– shuma totale € 46.500.000
- CARDS 2004– shuma totale € 58.500.000
- CARDS 2004 (Shtesa) – shuma totale € 5.000.000
- CARDS 2005 – shuma totale € 44.200.000
- CARDS 2006 – shuma totale € 42.500.000
Kjo shumë nën programin CARDS Kombëtar arrin vlerën e 281,6 milion euro.
Mbështetja është programuar duke u bazuar në sektorët kryesorë të drejtësisë dhe çështjeve të brendshme, forcimin e kapaciteteve administrative, zhvillimin ekonomik dhe social, mjedisin dhe burimet natyrore, si dhe stabilizimin demokratik. Në programin indikativ shumëvjeçar (MIP) 2005-2006, në përgjigje të Samitit të Selanikut i cili i hapi mundësinë vendeve të PSA-së për të marrë pjesë në programet komunitare, përfshihet dhe një paketë për programet komunitare.
Nënshkrimi i marrëveshjeve financiare (i ratifikuar nga Parlamenti për palën shqiptare) i ka hapur rrugë zbatimit të programeve vjetore CARDS. Në çdo marrëveshje financiare përcaktohen edhe afatet përfundimtare për proçeset e tenderimit, kontraktimit dhe zbatimit të programit.
- IPA I – Instrumenti i ri financiar mbështetës i periudhës së para-anëtarësimit
Në 29 shtator 2004, me qëllim vendosjen e një instrumenti të unifikuar për asistencën e parazgjerimit, Komisioni Evropian paraqiti një projekt rregullore me emrin Instrumenti i ndihmës së Para-anëtarësimit (IPA). Ky instrument do t’iu ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian mbështetje financiare duke u bazuar në mësimet e nxjerra nga instumentat e mëparshëm, me qëllim përmirësimin e eficëncës dhe koherencës së mbështetjes financiare të BE-së nëpërmjet një instrumenti të vetëm.
Lançimi i perspektivës së re financiare të Bashkimit Evropian për periudhën 2007 – 2013, bazohet në mbështjen e mëparshme të para-anëtarësimit dhe të stabilizim associimit për vendet kandidate dhe ato kandidate të mundshme, duke respektuar karakteristikat specifike të secilit vend dhe procesit në të cilin ato gjenden dhe do të zëvendësojë instrumentat e mëparshëm të ndihmës, përkatësisht, Phare, CARDS, ISPA, SAPARD dhe instrumentin e para- anëtarësimit të Turqisë.
Zarfi financiar për Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Malin e Zi, Serbinë, Kosovën, Shqipërinë dhe Turqinë për këtë periudhë (2007 – 2013) është në shumën 11.5 miliard euro.
Mbështetja e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë për të përmbushur detyrimet e mësipërme dhe për të integruar përpjekjet dhe standardet e zhvillimit të tyre me ato të vendeve anëtare, do të jetë nëpërmjet instrumentit të IPAs.
Ndihma nën këtë instrument është përqendruar në pesë komponentë të identifikuar si pikat më kyçe dhe që kërkojnë më shumë vëmendje, të cilët janë:
- Asistencë tranzicioni dhe Ngritja e Institucioneve;
- Bashkëpunimi Ndërkufitar;
- Zhvillimi Rajonal;
- Zhvillimi i Burimeve Njerëzore;
- Zhvillimi Rural.
Vendet kandidate potenciale, përfshirë dhe Shqipërinë, do të kenë akses vetëm në dy komponentët e parë të IPA-s: 1- Asistencë tranzicioni dhe Ngritja e Institucioneve; 2-Bashkëpunimi Ndërkufitar, si mbështetje për pjesëmarrjen në Procesin e Stabilizim Asociimit si rruga e vetme drejt asociimit të ardhshëm. Në kuadër të komonentit të parë egziston mundësia për të financuar tipe masash të Komponentëve III, IV, dhe V.
Për vendet kandidate – ofrohet mbështetje nga të pesë komponentët me qëllim adoptimin e acquis dhe përgatitjen për fondet e BE-së pas anëtarësimit.
Ndërkohë, vendet kandidate kanë akses dhe në tri komponentët e tjerë me qëllim për t’i ndihmuar ato të përgatiten për kohën pas anëtarësimit, në veçanti për zbatimin e politikave të kohezionit dhe zhvillimit rural të Komunitetit.
- Perspektiva Financiare IPA IIpër periudhën 2014-2020.
IPA II vendos një kornizë të re për ofrimin e ndihmës së para-anëtarësimit për periudhën 2014-2020 duke pasur një fokus më strategjik. Dokumentat Strategjike Kombëtare (Country strategy papers) janë dokumentat specifike të planifikimit strategjik të bëra për çdo përfitues për periudhën 7-vjeçare.
IPA II synon reformat në kuadër të sektorëve të paracaktuar. Këta sektorë mbulojnë fusha të lidhura ngushtë me strategjinë e zgjerimit, të tilla si demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit ose rritja dhe konkurrueshmëria. Një qasje e tillë sektoriale promovon reforma të strukturuara të cilat do të ndihmojë të transformimin e një sektori të caktuar duke e sjellë atë në përputhje me standardet e BE-së.
IPA II gjithashtu lejon një përdorim më sistematik të mbështetjes buxhetore ndaj sektorëve. Së fundi, ajo i jep më shumë peshë matjes së performancës: treguesit e dakordësuar me përfituesit do të ndihmojnë për të vlerësuar se në çfarë mase janë arritur rezultatet e pritura.
Sektorët prioritarë për financim nën IPA II janë:
- Demokracia dhe qeverisja;
- Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore;
- Mjedisi;
- Konkurrenca dhe inovacioni;
- Transporti;
- Arsimi, punësimi dhe politikat sociale;
- Bujqësia dhe zhvillimi rural;
- Bashkëpunimi rajonal dhe territorial.