Mbështetja Teknike
Projektet Aktuale
Përpjekjet e Shqipërisë për zhvillimin dhe integrimin në BE janë mbështetur nga BE dhe donatorët e tjerë dypalësh dhe shumëpalësh.
Projektet aktuale në mbështetje të proceseve integruese të vendin, janë:
Projekti: Mbështetja e negociatave të anëtarësimit në kapitujt ekonomik të acquis (SANECA)
Qëllimi i projektit është të forcojë kompetencat për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit në kapitujt ekonomik. Prandaj në fokus të tij qëndrojnë kapituj të përzgjedhur të sektorit ekonomik, të cilët drejtohen nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë (MFE).
Kapitujt të cilët mbështeten nga projekti janë:
- Kapitulli 1: Lëvizja e lirë e mallrave;
- Kapitulli 3: E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime;
- Kapitulli 20: Ndërmarrjet dhe Politika Industriale;
- Kapitulli 28: Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit.
Projekti financohet nga Ministria Gjermane e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (BMZ) dhe zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) . Vlera totale e projektit është 2 milion euro dhe periudha e zbatimit është 3-vjeçare (dhjetor 2019 deri në nëntor të vitit 2022).
Mbështetja konkrete në kuadër të këtij projekti konsiston në:
- Zhvillimin e kapaciteteve dhe metodologjive përkatëse për të pajisur strukturat negociuese të kapitujve 1, 3, 20 dhe 28 me njohuritë e nevojshme dhe aftësitë për të zhvilluar negociatat e anëtarësimit;
- Mbështetje praktike për të zhvilluar detyrat paraprake për të adresuar piketa të mundshme hapëse apo përfundimtare të negociatave për këta kapituj; si dhe
- Përfshirjen e shoqërisë civile në aktivitetet e strukturave negociuese për kapitujt në fokus.
Projekti: EURALIUS V
EURALIUS është një projekt i mbështetjes teknike të BE-së i cili mbështet dhe ndihmon institucionet kryesore të drejtësisë shqiptare që të afrojnë performancën e tyre me standardet e BE-së. Qëllimi i përgjithshëm i EURALIUS V është të forcojë pavarësinë, transparencën, efikasitetin, përgjegjshmërinë dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë shqiptare në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira. Më konkretisht, qëllimi i projektit është:
- të përmirësojë pavarësinë, transparencën, efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit shqiptar të drejtësisë, në përputhje me një strategji gjithëpërfshirëse të reformave të hartuara nga Ministria e Drejtësisë dhe aktorë të tjerë në sistemin e drejtësisë;
- të përmirësojë kapacitetet organizative, administrative dhe teknike të administrimit të burimeve, si dhe aftësitë e menaxhimit të çështjeve të gjyqësorit me qëllim përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës së gjykatave, përafrimit të sistemit të drejtësisë penale, civile dhe administrative shqiptare me standardet e BE-së.
EURALIUS V ka filluar në prill 2018 dhe parashikohet të zgjasë 3 vjet (deri në prill 2021).
Projekti i BE-së: “Këshillues të Nivelit të Lartë”
Ky projekt është një projekt pilot afatshkurtër në shumën prej 370,000 euro. Projekti është zbatuar për periudhën Janar – Shtator 2019. Qëllimi i projektit ishte mbështetja ad-hoc për kapitujt 15, 23 dhe 24 si dhe përgatitja e Termave të Referencës për një projekt më të gjerë vijues
(SMEI V) të IPA 2016.
Ky projekt ka bashkëpunuar me Projektin: Mbështetje për procesin pre-screening të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE (implementuar nga GIZ) për të ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për përgatitjen e analizës së shqyrtimit të legjislacionit të kapitujve 23 dhe 24.
Në tetor të vitit 2019 Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri miratoi zgjatjen e projektit deri në shkurt të vitit 2020. Projekti do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për MEPJ në forcimin e kapaciteteve të saj të brendshme për të koordinuar dhe planifikuar procesin e integrimit evropian, të mbështesë dhe këshillojë strukturat negociuese për procesin e shqyrtimit analitik të legjislacionit dypalësh (bilateral screening).
Projekti: Mbështetje për menaxhimin e IPA
Ky projekt është kontratë kuadër që ka filluar në shkurt të vitit 2019 me një kohëzgjatje të parashikuar për 18 muaj. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të mbështesë përdorimin efikas të ndihmës së BE-së, si mënyrë për përgatitje më të mirë për anëtarësimin në BE. Projekti do të zbatohet me një qëllim specifik për të forcuar kapacitetet e Koordinatorit Kombëtar të Instrumentit të Asistencës së Vendeve para-Aderimit (NIPAC), Zyrës Mbështetëse të NIPAC dhe palëve të tjera të interesit dhe institucioneve në planifikimin, programimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e ndihmës së BE-së.
Projekti: Mbështetja për sigurinë e ushqimit, veterinarinë dhe standardet fitosanitare
Ky është një projekt IPA 2016 i zbatuar me qëllimin kryesor për të vendosur kapacitetet institucionale dhe administrative në përputhje me agjendën e përgjithshme të reformës në administratën publike, për të siguruar dhe rritur mbrojtjen e shëndetit të njeriut, kafshëve dhe bimëve në çdo fazë të procesit të prodhimit të ushqimit (Kapitulli 12).
Një nga objektivat specifike është të ndihmojë në ristrukturimin e strukturave administrative, të sigurojë ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e masave të politikave dhe arritjen e objektivave strategjikë, në përputhje me reformën në administratën publike dhe kërkesat e anëtarësimit në BE. Projekti ka filluar në janar 2019 dhe parashikohet të zgjasë 4 vjet (deri në janar 2023).
Projekti: Mbështetja e negociatave shqiptare për mjedisin, Kapitulli 27 (SANE 27)
Projekti është i financuar nga Qeveria suedeze me qëllim kryesor ofrimin e ndihmës gjatë negociatave për Kapitullin 27 të acquis. Projekti parashikon vlerësim juridik dhe administrativ në kapitullin 27 dhe forcimin e përgjithshëm të kapaciteteve për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si dhe të institucioneve në varësi të saj. Projekti ka filluar në maj të vitit 2018 dhe është planifikuar të zgjasë deri në maj të vitit 2021.
Projektet të mëparshme
Projekti: Mbështetje për procesin pre-screening për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE
Ky projekt ka qenë një projekt afatshkurtër 11 mujor (janar-nëntor 2019) me vlerë totale prej 280,000 Euro, i financuar nga nga Ministria Gjermane e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (BMZ) dhe i zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).
Në fokus të këtij projekti ka qenë forcimi i kapaciteteve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme si koordinatori kombëtar për integrimin evropian, për të ofruar mbështetje metodologjike dhe për të koordinuar procesin e shqyrtimit analitik të legjislacionit (screening).
Projekti ka zhvilluar standarde dhe ka ofruar mbështetje metodologjike për strukturat përgjegjëse për zhvillimin e negociatave në vend përmes:
- Hartimit dhe mbështetjes në fazat e konsultimit dhe miratimit të akteve nënligjore për ngritjen dhe funksionimin e strukturave përgjegjëse për negociatat e anëtarësimit (grupet ndërinstitucionale të punës, platformën e partneritetit për integrimin evropian, komitetin teknik të grupeve ndërinstitucionale të punës etj.);
- Konceptimit të hapave kyçe për përgatitjet për zhvillimin e procesit screening shpjegues (explanatory screening) dhe atë dypalësh (bilateral screening);
- Hartimit të një manuali për përgatitjet për procesin screening, i pajisur me modele, shembuj e instrumente të tjerë metodologjikë për zhvillimin e procesit screening (kodifikim i hapave në proces bazuar në standardet më të mira të vendeve të anëtarësuara më parë dhe atyre të rajonit);
- Ngritjes të një sistemi menaxhimi dokumentacioni (DMS) i cili ruan memorien institucionale të krijuar gjatë procesit të negociatave, mundëson qasje direkte në dokumente të nevojshme të hartuara gjatë procesit dhe mundëson monitorim të statusit të përgatitjeve të strukturave përgjegjëse në proces;
- Trajnimit të mbi 400 anëtarëve të grupeve ndërinstitucionale të punës për ndjekjen e hapave kyçe për përgatitjet për screening.
Po ashtu përmes këtij projekti janë mbështetur konkretisht strukturat negociuese për pesë kapituj të përzgjedhur të acquis, siç kapitulli 5, 19, 23, 24 dhe 32, gjatë përgatitjes për zhvillimin e procesit screening.
Konkretisht:
- Grupet ndërinstitucionale të punës për kapitujt e sipërpërmendur janë mbështetur gjatë zhvillimit të analizës së mangësive institucionale për kapitujt në fjalë (mbi 200 akte acquis janë analizuar dhe janë hartuar po aq tabela përputhshmërie);
- GNPIE-të janë mbështetur dhe për hartimin e drafteve paraprake të prezantimeve mbi nivelin e përafrimit të legjislacionit për screening dypalësh;
- Është ofruar gjithashtu këshillim mbi mënyrën e menaxhimit, monitorimit dhe raportimit mbi procesin screening.
Falë këtij projekti është përmirësuar edhe vizibiliteti i procesit screening përmes:
- Zhvillimit të një dizenjoje të re për nënfaqen web mbi negociatat e anëtarësimit;
- Hartimit dhe shpërndarjes të materialeve informuese mbi procesin e negociatave dhe procesin screening;
Ndërsa MEPJ dhe stukturat e negociatave disponojnë një manual për komunikimin e procesit të negociatave, si dhe një set rekomandimesh për rritjes e cilësisë së informacionit mbi proceset integruese, rritjen e vizibilitetit dhe të impaktit te publiku dhe palët e tjera të interesuara.
Projekti: Harmonizimi i legjislacionit ekonomik dhe tregtar me Acquis të BE-së
Projekti është financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe u implementua nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ). Afati i projektit ishte 4 vjet (Janar 2015 – Dhjetor 2018), me një vëllim financiar prej 2 milion EUR.
Qëllimi i tij ishte forcimi i kompetencave për harmonizimin e legjislacionit, zbatimin e tij dhe zhvillimin e negociatave për anëtarësim në BE në fushat në përgjegjësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përkatësisht ato që kanë të bëjnë me kapitujt 1, 3, 6, 20, 28 dhe 30 të acquis.
Projekti ka ofruar mbështetje në tre fusha përplotësuese:
- Legjislacioni dhe interpretimi i acquis të BE-së, duke këshilluar mbi permirësimin e bërjes së legjislacionit dhe te politikave dhe duke mbështetur harmonizimin e akteve ligjore specifike të BE-së;
- Zbatimi i legjislacionit të harmonizuar me atë të BE-së, duke mbështetur krijimin dhe forcimin e institucioneve kryesore zbatuese;
- Përgatitja e negociatave të anëtarësimit në BE, duke zhvilluar instrumente strategjike dhe pune specifike të GNPIE-ve për një përgatitje të planifikuar dhe të duhur dhe këshillim për koordinim dhe konsolidim më të mirë të GNPIE-ve.
Për tre fushat e lartpërmendura, projekti ka bashkëpunuar ngushtë me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) në hartimin e programeve dhe kurrikulave të nevojshme të trajnimit dhe ndërtimin e metodave inovative të mësimdhënies për legjislacionin përkatës për acquis të BE-së (e-Learning).
Rezultatet kryesore të projektit janë si më poshtë:
- Hartimi i 20 akteve ligjore (ligjit dhe akteve nënligjore) me qëllim të harmonizimit të legjislacionit të BE-së, si dhe në lidhje me krijimin dhe funksionimin e institucioneve zbatuese;
- Përgatitja e 2 vlerësimeve të ndikimit rregullator (RIA) në fushën e mbrojtjes së konsumatorit (Kapitulli 28) dhe sigurimit kredive në eksport (Kapitulli 30), i cili siguroi vendimmarrje të informuar dhe të bazuar në prova për ndërhyrjet e nevojshme ligjore;
- Themelimi i Inspektoriatit të Mbikëqyrjes së Tregut (në vitin 2016), përgatitja e instrumenteve strategjikë për menaxhimin / funksionimin e tij, pajisjen e inspektorëve me njohuri dhe zhvillimin e faqes së internetit për të siguruar transparencë dhe qasje në informacion;
- Themelimi i Qendrës Kombëtare të Biznesit, rregullimi i procedurave të regjistrimit dhe licencimit të biznesit, forcimi i kompetencave të stafit të QKB-së, zgjerimi i procedurave të licencimit në të gjitha 35 sportelet e shërbimit (nga 12 syresh më parë) – niveli i kënaqësisë së biznesit është rritur nga 68% (2017) në 91% (2018);
- Forcimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit, përgatitja e Manualit Udhëzues për trajtimin profesional të ankesave të konsumatorëve, zhvillimin e faqes së internetit për të siguruar transparencë, përgjegjshmëri dhe qasje në informacion; fushatat e ndërgjegjësimit të konsumatorit;
- Rritja e kompetencave të anëtarëve të GNPIE-ve në lidhje me përgatitjet për screening dypalësh, përgatitjen e dokumenteve udhëzuese gjithëpërfshirëse (Task Plane) për t’u përgatitur në një mënyrë të strukturuar, përfundimi i Analizës së Mangësive Ligjore, përgatitjen e metodologjive specifike të kapitullit dhe instrumenteve të punës për të shqyrtuar barrierat për tregtinë e mallrave dhe shërbimeve dhe evidentimin e palëve të interesuara në kapitujt përkatës.
Projekti: Mbështetja për Ministrinë e Integrimit Evropian I (SMEI I), CARDS 2005
“SMEI I” sipas CARDS 2005 ishte një projekt me vlerë 2 milion euro, duke ofruar mbështetje teknike për një periudhë mbi 28 muaj. Projekti synonte forcimin e kapaciteteve për zbatimin e MSA-së dhe veçanërisht përmirësimin e mekanizmave të koordinimit ndërmjet ministrive të linjës dhe ish Ministrisë së Integrimit Evropian. Për më tepër, ka synuar të riorganizojë dhe forcojë sistemin e administrimit, planifikimit, koordinimit dhe zbatimit si dhe monitorimin e ndihmës së Komunitetit. Mbështetja shtesë për ish Ministrinë e Integrimit Evropian sipas të njëjtit program CARDS 2005 përfshinte sigurimin me pajisje dhe programe kompjuterike, pajisje zyre, si dhe dy automjete me katër rrota për monitorimin e programeve ndërkufitare të financuara nga BE. Projekti përfundoi në korrik të vitit 2009.
Projekti: Mbështetje për Ministrinë e Integrimit Evropian II (SMEI II), IPA 2008
Duke u bazuar në rezultatet e “SMEI I”, qëllimi i projektit ishte të mbështeste dhe forconte aftësinë administrative të Shqipërisë për të zbatuar MSA-në si dhe përgatitjen për integrimin e mëtejshëm të vendit në BE. SMEI II u zbatua në bazë të Marrëveshjes të Delegacionit nga GIZ. SMEI II mbështeti ish Ministrinë e Integrimit Evropian si ministria me përgjegjësinë kryesore për procesin e integrimit, dhe koordinatorin e ndihmës financiare të BE-së. Një ndihmë e vlefshme u dha në lidhje me përgatitjen e përgjigjeve të Shqipërisë për Pyetësorin e KE-së për dhënien e vendit të statusit kandidat. Gjithashtu një kontribut është dhënë në procesin e planifikimit dhe monitorimit të harmonizimit ligjor, duke synuar një sigurim të qëndrueshmërisë së reformave të BE-së. SMEI II u zbatua gjatë periudhës gusht 2009 – shtator 2011.
Projekti: Mbështetja për Procesin e Integrimit në Bashkimin Evropian-Faza III (SMEI III), IPA 2010
SMEI III ishte një projekt i mbështetjes teknike që është marrë me çështjet horizontale të menaxhimit të integrimit evropian në Shqipëri. Qëllimi i përgjithshëm i projektit ishte arritja e një përparimi të duhur në procesin e integrimit në BE për Qeverinë Shqiptare, bazuar në një strategji afatgjatë të para anëtarësimit. SMEI III mbështeti veçanërisht forcimin e përafrimit ligjor, ngritjen e kapaciteteve nëpërmjet trajnimeve dhe përmirësimin e menaxhimit institucional dhe ndërinstitucional të kërkesave për integrimin evropian si dhe në fund por jo më pak të rëndësishëm, informimin publik për integrimin evropian. SMEI III filloi në janar të vitit 2012 dhe u finalizua në shkurt të vitit 2016. Buxheti i projektit ishte afërsisht 1.5 milion euro.
Projekti: Mbështetje për Procesin e Integrimit në Bashkimin Evropian-Faza IV (SMEI IV), IPA 2014
SMEI IV ishte një projekt i mbështetjes teknike që përqendrohej në: mbështetjen për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga MSA; mbështetje për përafrimin dhe zbatimin e acquis në legjislacionin shqiptar; forcimi i ngritjes së kapaciteteve të nëpunësve civilë përgjegjës për përmirësimin e rolit të tyre në proceset e harmonizimit, screening dhe negociatave; si dhe mbështetje për zbatimin nga Qeveria Shqiptare të Strategjisë së Komunikimit. Buxheti i projektit ishte afërsisht 2 milion euro. Projekti filloi në shkurt të vitit 2017, u pezullua në qershor 2018 dhe u mbyll përfundimisht në shtator të vitit 2018 për shkak të çështjeve që lidhen me procesin e tenderimit të projektit në vitin 2016. Si fillim, bashkimi i Ministrisë së Integrimit Evropian me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe më vonë pezullimi i projektit, penguan projektin për të arritur qëllimet e tij. Në veçanti, pezullimi i projektit ndërpreu programin e trajnimit që ishte ndërmarrë për stafin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për negociatat e anëtarësimit.