IPA

IPA

IPA

Programet Kombëtare IPA

Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA) është një mekanizëm i krijuar nga BE për t’i ofruar ndihmë Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, si mbështetje për procesin e anëtarësimit të këtyre vendeve në familjen evropiane.

Parimet dhe rregullat e programimit të fondeve përcaktohen në Dokumentin e Marrëveshjes Kuadër për IPA II (2014 -2020). Për çdo vit të ri programimi, Zyra Mbështetëse e Kordinatorit Kombëtar (KKIPA), në bashkëpunim me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, përgatit një plan ku përcaktohen hapat kryesore dhe afatet respektive.

Identifikimi i ideve dhe prioriteteve për mbështetjen financiare IPA II, bëhet nga Zyra Mbështetëse e KKIPA, njësitë IPA në Ministritë e Linjës dhe Delegacionit të BE-së, bazuar në Dokumentin Strategjik Kombëtar 2014-2020, në të cilin identifikohen shtatë fushat që mbështesin fondet e IPA II. Pas identifikimit të ideve Zyra Mbështetëse e KKIPA, Delegacioni i BE-së dhe DG NEAR ndërmarrin veprimet e duhura për t’i vënë në zbatim.

Përparësi i jepet dhënies së asistencës financiare me bazë sektoriale (shtatë sektorët e identifikuar në DSK), që të sigurohet një qasje më afatgjatë, koherente dhe e qëndrueshme, të rritet pronësia, të lehtësohet bashkëpunimi ndërmjet donatorëve, të eliminohet publikimi i përpjekjeve dhe të rritet efiçenca dhe efektiviteti.

Monitorimi dhe Raportimi i asistencës financiare IPA janë aktivitete të detyrueshme të Qeverisë Shqiptare, siç është parashikuar nga Marrëveshja Kuadër ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Komisionit Europian, ratifikuar me ligjin nr.37/ 2015.

Nën instrumentin IPA II, strategjia e monitorimit është ngritur duke marrë parasysh Qasjen Sektoriale. Sektorët janë përcaktuar nga Komisioni Evropian në ‘Vendimin Zbatues të Komisionit’ i cili ka ndryshuar Vendimin e Komisionit C (2014) 5770 të datës 18.8.2014, duke miratuar Dokumentin Indikativ Strategjik për Shqipërinë për periudhën 2014-2020, rishikuar më 3 gusht 2018, të cilit përgjithësisht i referohemi si Dokumenti Indikativ Strategjik i Rishikuar, i cili parashikon këto sektorë:

  • Sektori 1: Demokracia dhe mirëqeverisja
  • Sektori 2: Shteti i së Drejtës dhe të drejtat themelore
  • Sektori 3: Mjedisi dhe Klima / nënsektori i Ujit
  • Sektori 4: Transporti dhe Energjia
  • Sektori 5: Konkurrueshmeria dhe inovacioni,
  • Sektori 6: Bujqësia dhe zhvillimi rural
  • Sektori 7: Arsimi, punësimi dhe politikat sociale

Sektorët e mësipërm, dhe nënsektorët e tyre përkatës, janë përcaktuar të tillë me qëllim organizimin e Komiteteve Sektoriale të Monitorimit dhe gjithashtu për të organizuar hartimin e Raporteve Vjetore të Zbatimit.

Koordinimi i monitorimit dhe raportimi sigurohet nga KKIPA – Koordinatori Kombëtar i IPA-s. KKIPA asistohet në ushtrimin e funksioneve të tij nga Zyra Mbështetëse e KKIPA.

Instrumentet e monitorimit janë:

  • Mbledhja dhe rishikimi i raporteve gjashtë mujore të monitorimit të veprimit të përgatitura nga njësitë IPA;
  • Organizimi i takimeve të Komiteteve Sektoriale të Monitorimit;
  • Ndjekja e Konkluzioneve Operacionale të takimeve të Komiteteve Sektoriale të Monitorimit;
  • Organizimi i takimeve vjetor të Komitetit të Monitorimit të IPA-s.

 

IPA me Shumë Vende Përfituese

Që prej vitit 2007 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia, janë përfituese të Programit financiar rajonal të Bashkimit Evropian: IPA me Shumë-Vende Përfitues. Ky program ndihmon në përmbushjen e objektivave të identifikuar në Strategjitë Indikative Kombëtare, nëpërmjet mjeteve të ndryshme.

Programet IPA  me Shumë-Vende Përfituese hartohen (i) në përputhje me Strategjitë Kombëtare të identifikuara në Dokumentin Indikativ Kombëtar 2014-2020; (ii) për të plotësuar dhe përforcuar strategjitë kombëtare nëpërmjet mbështetjes së bashkëpunimit rajonal dhe territorial, lehtësimit të koordinimit dhe mekanizmave efektive të zbatimit horizontal.

Shuma totale e asistencës së Bashkimit Evropian për periudhën 2014-2020, për të gjithë rajonin është €2.9 bilion. Kjo asistencë do të alokohet në 4 shtylla kryesore:

(i) Mbështetja horizontale;

(ii) Strukturat dhe rrjetet rajonale;

(iii) Mbështetja për investimet rajonale;

(iii) Bashkëpunimi Territorial

Për më shumë informacion, vizitoni faqen:
https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/instruments/multi-beneficiary-programme_en

Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)

Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor u themelua në vitin 2009 si një iniciativë e përbashkët midis Komisionit Evropian, Këshillit të Bankës Evropiane për Zhvillim (CEB), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI). Kësaj iniciative më vonë iu bashkuan Banka Botërore (BB), Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD).

WBIF është një instrument rajonal që mbështet zgjerimin e BE-së dhe zhvillimin socio-ekonomik në vendet përfituese të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbi. WBIF mbështet projekte në fazën e maturimit dhe projekte investimi.

Lloji i financimit: WBIF është një përpjekje e koordinuar për përgatitjen dhe përzgjedhjen e projekteve prioritare për financim përmes kombinimit të:

  • Granteve nga Instrumenti i Para-anëtarësimit (IPA) i Komisionit Evropian dhe nga 20 donatorë dypalësh (Austria, Hollanda, Gjermania, Franca, Italia etj.);
  • Kredive nga institucionet financiare pjesëmarrëse (CEB, EBRD, EIB, WBG, KfW);
  • Financave kombëtare.

Që nga viti 2014, WBIF ka qenë në thelb të Procesit të Berlinit, një iniciativë e BE-së që ka për qëllim rivitalizimin e lidhjeve midis Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve Anëtare të BE-së, si dhe midis përfituesve të Ballkanit Perëndimor. Ky instrument mbështet projekte në sektorët si, transport, energji, mjedis, sociale, infrastrukturë digjitale.

Përfituesit: Ministritë e linjës dhe Institucione të tjera qëndrore/lokale.

Koordinatori Kombëtar i Instrumenteve të Para-anëtarësimit (KKIPA) është pika  kryesore e kontaktit në anën e përfituesve dhe luan një rol kyç në koordinimin e përgatitjes dhe dorëzimit të aplikimeve për financim në WBIF. Përveç KKIPA-ve, përgatitja dhe zbatimi i projektit kryhet nga disa aktorë të tjerë si Komitetet Kombëtare të Investimeve (KKI) që përbëhet nga Kryeministri, Ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe ministrat e tjerë teknik (Ministritë e linjës). KKIPA është strukturë e koordinimit midis të gjithë aktorëve të lartpërmendur dhe vepron si pika hyrëse në strukturën e WBIF. Në Shqipëri, rolin e KKIPA e kryen Zëvendësministri për Evropën  dhe Punët e Jashtme.

Për më shumë informacion mbi WBIF lutem referojuni linkut:
https://www.wbif.eu/ 

Programet Evropiane

Pjesëmarrja në Programet Evropiane (ish- Programet Komunitare) është projektuar për tu mundësuar vendeve partnere që të njihen me metodat dhe politikat e Bashkimit Evropian (BE). Në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo është pjesë e perspektivës së tyre evropiane dhe më saktësisht të axhendës së Selanikut të miratuar në vitin 2003, e cila shprehimisht parashikon një pjesëmarrje të tillë si një instrument në Procesin e Stabilizim-Asociimit dhe në procesin e afrimit me BE-në, veçanërisht në lidhje me përafrimin dhe zbatimin e acquis (legjislacionit evropian).

Shqipëria dhe Programet Evropiane

Shqipëria përfiton nga nëntë Programe Evropiane (të njohura më parë si Programet Komunitare), për të cilat janë nënshkruar Marrëveshje me Komisionin Evropian.

Koordinatori i përgjithshëm kombëtar i Programeve të Bashkimit Evropiane në Shqipëri është Ministri  për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Horizon 2020

Horizon 2020 është instrumenti financiar i Komisionit Evropian që do të zbatohet për një periudhë 7 vjeçare, 2014-2020 me një buxhet rreth 80 miliardë Euro. Programi i ri i BE-së për kërkim dhe inovacion është pjesë e përpjekjeve për zhvillim dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Evropë në zbatim të iniciativës së Evropës 2020 që synon sigurimin e konkurrueshmërisë së Evropës në nivel global. Programi është vijuese i natyrshëm i FP7.

Programi Kuadër i BE-së për Kërkim dhe Inovacion u nënshkrua nëpërmjet një Marrëveshjeje ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së në 1 Korrik 2014.

Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë është pika e kontaktit për menaxhimin e programit Horizon 2020 në Shqipëri.

Për më shumë informacion referojuni:
https://ec.europa.eu/programmes/horizon2020/ 
https://ec.europa.eu/research/participants/portal/desktop/en/home.html

 

COSME (Programi për Konkurrueshmërinë e Sipërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme)

Programi për Konkurueshmërinë e Sipërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, ka për qëllim të përforcojë konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sipërmarrjeve të BE-së, duke përfshirë sektorin e turizmit, të nxisë kulturën e sipërmarrjes, si dhe të promovojë krijimin dhe rritjen e SME-ve. Ky program ka një buxhet prej 2.3 miliard Euro për periudhën 2014-2020, dhe fokusohet në fushat e mëposhtme:

  • Lehtësim për aksesin në financë;
  • Mbështetje për ndërkombëtarizimin dhe aksesin në tregje;
  • Krijimin e një mjedisi të favorshëm për konkurrueshmërinë;
  • Nxitjen e kulturës së sipërmarrjes.

Marrëveshja me Shqipërinë u nënshkrua në 3 Mars 2015. Ministria e Financave dhe Ekonomisë është përgjegjëse për menaxhimin e Programit COSME në Shqipëri.

Për më shumë informacion referojuni:
https://ec.europa.eu/growth/smes/cosme_en 

ERASMUS  +

ERASMUS + është programi që synon rritjen e aftësive dhe punësimin, si dhe modernizimin e Edukimit, Trajnimit dhe Punësimit të të Rinjve. Programi ka një buxhet prej 14.7 miliard Euro. Ky program është rezultat i integrimit të Programit të të Mësuarit gjatë gjithë Jetës, Rinia në Veprim, Erasmus Mundus, Tempus, Alfa, Edulink dhe programit për bashkëpunim me vendet e industrializuara në fushën e arsimit të lartë. Objektivat e Erasmus + janë:

  • Të krijojë mundësi për të studiuar, për t’u trajnuar e për të fituar përvojë pune jashtë vendit;
  • Të rrisë cilësinë e mësimdhënies në BE dhe më gjerë;
  • Të mbështesë vendet anëtare dhe vendet partnere në modernizimin e arsimit dhe sistemet e formimit profesional;
  • Të promovojë pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri;
  • Të mbështesë mësimdhënien dhe punën kërkimore në lidhje me integrimin Evropian;
  • Të mbështesë veprimtari në fushën e sportit në nivel evropian.

Marrëveshja me Shqipërinë u nënshkrua në 19 Qershor 2014. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është pika e kontaktit për menaxhimin e programit Erasmus + në Shqipëri. Gjithashtu, ka edhe një Zyrë Kombëtare për Erasmus + në Shqipëri.

Për më shumë informacion referojuni:
https://ec.europa.eu/programmes/erasmus-plus/node_en
http://erasmusplus.al/?lang=sq    

Creative Europe/Europa Krijuese – nën programi i Kulturës dhe nën-prograrmi i Medias

Programi Europa Krijuese jep mbështetje për sigurimin dhe promovimin e diversitetit kulturor dhe gjuhësor Evropian dhe mbështetje për fuqizimin e sektorit të konkurrueshmërisë. Programi bashkon programet e mëparshme të Kulturës, Media dhe Media Mundus (2007-2013). Europa Krijuese ka një buxhet prej 1.46 miliard euro për 7 vitet e periudhës 2014-2020. Synimet e programit janë:

  • Të ndihmojë sektorët kulturorë dhe krijues që të shfrytëzojnë mundësitë në kuadër të moshës dixhitale dhe globalizimit;
  • Të mundësojë që sektorët të forcojnë potencialin e tyre ekonomik duke kontribuar në rritje të qëndrueshme, vende pune dhe kohezion social;
  • Të japë akses për sektorin e kulturës dhe medias në Europë me mundësi bashkëpunimi në nivel, tregje e audienca ndërkombëtare.

Shqipëria merr pjesë në të dy programet e Europës Krijuese, si në atë të nën programit të Kulturës dhe në atë të nën programit të Medias: Marrëveshja e nën-programit të Kulturës me Shqipërinë u nënshkrua në 20 Qershor 2014 dhe e nën-programit të Medias në 9 Tetor 2014. Ministria e Kulturës është përgjegjëse për menaxhimin e Programit Evropa Krijuese në Shqipëri.

Për më shumë informacion referojuni:  
https://ec.europa.eu/programmes/creative-europe/ 
http://evropakrijuese.al/ 

Europe for Citizens – Europa për Qytetarët

Europa për Qytetarët ka për qëllim të nxisë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe organizatave nga vende të ndryshme dhe të lehtësojë zhvillimin e një ndjenje të përkatësisë në idealet e përbashkëta Evropiane, si dhe të nxisë procesin e Integrimit Evropian. Ky program ka një buxhet prej 185 468 000 Euro për periudhën 2014-2020. Objektivat kryesore të këtij programi janë:

  • Dhënia e mundësisë qytetarëve për të bashkëvepruar dhe për të marrë pjesë në ndërtimin e “një Evrope gjithnjë e më pranë qytetarëve”;
  • Forcimi i identitetit evropian, bazuar në vlerat e përbashkëta;
  • Zhvillimi i ndjenjës së përkatësisë në BE-së;
  • Rritja e përbashkët e mirëkuptimit dhe tolerancës ndërmjet qytetarëve evropianë, duke kontribuar në dialogun ndërkulturor.

Programi përbëhet nga dy komponentët e mëposhtëm:

  • Kujtesa Historike dhe Qytetaria Evropiane: synon të mbështesë organizatat në nxitjen e debatit dhe në aktivitete për Integrimin Evropian dhe historinë në nivel transnacional.
  • Angazhimi demokratik dhe pjesëmarrja qytetare: synon të rrisë njohuritë e qytetarëve dhe kapacitetet për të marrë pjesë në procesin e hartimit të politikave të BE-së, si dhe të rrisë mundësitë për solidaritet, angazhim qytetar dhe vullnetarizëm.

Marrëveshja me Shqipërinë për këtë program u nënshkrua në 26 Shkurt 2015. Ministria e Kulturës është përgjegjëse për menaxhimin e Programit Evropa për Qytetarët në Shqipëri.

Për më shumë informacion referojuni:  
https://eacea.ec.europa.eu/europe-for-citizens_en 

Customs 2020 – Doganat 2020

Customs 2020 Doganat 2020 mbështet bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve doganore në BE duke ndihmuar në maksimizimin e efikasitetit të tyre e shmangur mospërputhjet në punën e tyre, të cilat mund të pengojnë funksionimin e doganave të BE-së. Programi i Doganave 2020, me një buxhet prej 547.3 milion Euro, përbën një kontribut të konsiderueshëm në ndihmën për rritjen e të ardhurave për buxhetin e BE-së dhe vendeve anëtare çdo vit, e do të japë përfitime të konsiderueshme për qytetarët e BE-së dhe biznesin, duke bllokuar importet e pasigurta ose të paligjshme apo duke lehtësuar tregtinë.

Marrëveshja me Shqipërinë është nënshkruar në 27 Korrik 2014. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është përgjegjëse për pjesëmarrjen dhe menaxhimin e Programit Cusoms 2020 në Shqipëri.

Programi përbën një mjet mjaft të vlefshëm për ngritjen e kapaciteteve dhe shkëmbimin e përvojave për Administratën Doganore Shqiptare. Programi i mëparshëm, Customs 2013 ka arritur rezultate domethënëse në drejtim të rritjes së kapaciteteve të punonjësve të doganës shqiptare, të cilët kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme në kuadër të programit.

Për më shumë informacion referojuni:
https://ec.europa.eu/taxation_customs/business/customs-cooperation-programmes/customs-2020-programme_en 

Fiscalis 2020

Fiscalis 2020, me një buxhet 234.3 milion Euro, mbështet bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve tatimore në BE për të ndihmuar në maksimizimin e rendimetit të tyre dhe për të shmangur mospërputhjet në punën e tyre, gjë e cila mund të rrisë nivelin e funksionimit të Tregut të brendshëm. Objektivat operacionale dhe prijoritetet e programit janë:

  • Të zbatojë, përmirësojë, dhe të mbështesë Sistemet Evropiane të Informimit për tatimet;
  • Të mbështesë aktivitetet e bashkëpunit në kuadër të përmirësimit të punës së administratës;
  • Të përforcojë aftësitë dhe kompetencat e punonjësve të tatimeve;
  • Të rrisë njohuritë dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së në fushën e tatimeve;
  • Të mbështesë përmirësimin e proçedurave administrative dhe shkëmbimin e praktikave të mira administrative.

Programi mbështet bashkëpunimin ndërmjet Autoriteteve Tatimore. Marrëveshja me Shqipërinë u nënshkrua në 23 Nëntor 2014. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është përgjegjëse për pjesëmarrjen dhe menaxhimin e programit Fiscalis 2020 në Shqipëri.

Për më shumë informacion referojuni:
https://ec.europa.eu/taxation_customs/fiscalis-programme/fiscalis-2020-programme_en 

EaSI, Programi për Punësimin dhe Inovacionin në fushës Sociale

Programi EaSI mbështet iniciativa dhe strategji qeveritare për të modernizuar tregjet e punës, sistemet e sigurisë sociale e rritjen e punësimit, në veçanti atë të brezit të ri, duke mbështetur krijimin e vendeve të punës, duke promovuar një fuqi punëtore shumë të aftë, duke inkurajuar përshtatjen ndaj ndryshimeve dhe ristrukturimeve e rritur mobilitetin dhe promovuar inovacionin social. EaSI bashkon tre programe të BE-së të cilat janë menaxhuar më parë në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra në periudhën 2007-2013: PROGRESS, EURES and Progress Mikrofinancë. Buxheti për periudhën 2014-2020 është 919,469,000 Euro.

Marrëveshja me Shqipërinë u nënshkrua në 9 Mars 2015. Minisria e Financave dhe Ekonomisë është përgjegjëse për menaxhimin e këtij programi.

Për më shumë informacion referojuni:
http://ec.europa.eu/social/main.jsp?catId=1081 

Justice Programme (Programi për Drejtësinë)

Programi për Drejtësinë kontribuon në zhvillimin e një zone Evropiane të drejtësisë bazuar në besimin dhe vlerësimin reciprok.  Objektivat kryesore të këtij Programi janë:

  • Lehtësimi dhe mbështetja në bashkëpunimin gjyqësor për çështjet civile dhe penale;
  • Mbështetja dhe nxitja e trajnimit gjyqësor, duke përfshirë trajnimin gjuhësor në terminologjinë juridike, me qëllim nxitjen e një kulture të përbashkët ligjore dhe gjyqësore;
  • Lehtësimi i qasjeve efektive për të gjithë në drejtësi, duke përfshirë nxitjen dhe mbështetjen e të drejtave të viktimave të krimit,  si dhe duke respektuar në të njëjtën kohë të drejtat e mbrojtjes.

Buxheti për periudhën 2014-2020 është 378 milinon Euro.

Marrëveshja u ratifikua nga Parlamenti shqiptar në Shkurt 2017. Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për pjesëmarrjen dhe menaxhimin e Programit për Drejtësinë në Shqipëri.

Për më shumë informacion referojuni:
http://ec.europa.eu/justice/grants1/programmes-2014-2020/justice/index_en.htm

Shkarko Multi Country Strategy Paper