Dokumente Kombëtare
Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020 (SKZHI) është dokumenti kryesor strategjik kombëtar mbi të cilin jepet vizioni kombëtar për zhvillim, përcaktohen prioritetet dhe objektivat për një periudhë 5-vjeçare.
SKZHI 2015-2020 synon zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik të vendit, duke siguruar përmbushjen e standardeve dhe progresin në procesin e integrimit evropian.
SKZHI përbëhet nga gjashtë prioritete:
- Integrimi Europian;
- Mirëqeverisja, Demokracia dhe Sundimi i Ligjit;
- Stabiliteti Makroekonomik dhe Fiskal;
- Rritja e konkurrencës;
- Zhvillimi Njerëzor dhe Kohezioni Social;
- Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve.
Plani Kombëtar për Integrimin në BE 2019-2021 përfshin masat afatmesme dhe afatgjata, që shtrihen deri në vitin 2021, në mënyrë që Shqipëria të arrijë përafrimin e plotë ligjor të legjislacionit kombëtar me acquis të BE-së dhe të harmonizojë të gjithë sektorët me standardet e përcaktuara në kapitujt e acquis. PKIE rishikohet çdo vit dhe vlerëson progresin e arritur, jo vetëm në shkallën e përafrimit, por edhe në zbatimin e legjislacionit të përafruar. PKIE synon të koordinojë këtë proces përafrimi duke përcaktuar prioritetet për akte që duhet të përafrohen, ministrive të ngarkuara me hartimin/rishikimin e akteve ligjore shqiptare, shkallën e përafrimit dhe datat e miratimit dhe hyrjes në fuqi.
PKIE ndër vite
Programi i Reformave Ekonomike 2019-2021
Rruga drejt qëndrueshmërisë ekonomike dhe konsolidimit fiskal, në përputhje me objektivat e integrimit të Bashkimit Evropian dhe me kërkesat për rritje të qëndrueshme, i kanë dhënë formë modelit ekonomik dhe reformave të marra përsipër nga Qeveria e Shqipërisë. Shqipëria ka bërë përpjekje drejt krijimit të një ekonomie tregu të mirëstrukturuar e të aftë për të përballuar presionet konkurruese dhe forcat e tregut pas anëtarësimit në BE.
Programi i Reformave Ekonomike 2019 – 2021 (PRE) nënvizon politikat kryesore makroekonomike dhe fiskale duke synuar të vendosë një balancë të qartë midis forcave të brendshme dhe faktorëve nga jashtë, për të mundësuar rritje të qëndrueshme, rritje të punësimit dhe ulje të borxhit publik. Për më tepër, PRE paraqet dhe reformat strukturore prioritare të parashikuara nga Qeveria e Shqipërisë për periudhën afatmesme për të rritur prodhimin e brendshëm, për të nxitur investime të reja dhe për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe konkurrueshmëri.