Rreth negociatave

Rreth Negociatave

Negociatat për anëtarësim shënojnë momentin kyç në proceset integruese të një vendi për në BE. Procesi i negociatave të anëtarësimit të vendit kandidat konsiston në tre faza:

  • Në marrjen e statusit të vendit kandidat– çka nuk nënkupton automatikisht hapjen e negociatave të anëtarësimit.
  • Në hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim– proces ky që përfshin përthithjen e acquis në sistemin kombëtar juridik, përgatitjet për zbatimin e tij dhe zbatimin e reformave ligjore, politike, ekonomike, administrative e të të tjera reformave të nevojshme që vendi të anëtarësohet në BE, ndryshe kriteret për anëtarësim.
  • Në përfundimin e negociatave dhe reformave- vendi kandidat pas këtij momenti mund të anëtarësohet në BE.

Përmbushja e kritereve për anëtarësim, pra harmonizimi me acquis të BE-së, konsiston në tre aktivitete komplementare me njëri-tjetrin:

  • përafrimin e legjislacionit vendas me acquis të BE-së;
  • ngritjen e institucioneve të nevojshme për zbatimin e legjislacionit në fjalë dhe në rritjen e kapaciteteve administrative;
  • vërtetimin përmes treguesve të qendrueshëm të përformancës të zbatimit të legjislacionit të përafruar.

Negociatat zhvillohen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare dhe vendit kandidat përmes  Konferencës  Ndërqeveritare. Konferenca e parë Ndërqeveritare është më e rëndësishmja politikisht duke qenë se përcakton kuadrin e përgjithshëm për negociatat, si dhe hapjen zyrtare të tyre. Këtu shkëmbehen qëndrimet e përgjithshme negociuese mes BE-së dhe vendit kandidat dhe prezantohen grupet negociatore.

Për qëllime të procesit të negociatave, acquis i BE-së ndahet në 35 kapituj negociues (fusha politikash). Vendi kandidat nuk negocion mbi acquis e BE-së, por mbi transpozimin e zbatimin e tij.

Procesi nis me vlerësimin analitik të përafrimit të legjislacionit me acquis, ndryshe me procesin screening. Screening organizohet në dy faza:

  • Takimet Shpjeguese (Shumëpalëshe), ku Komisioni Evropian shpjegon acquis e BE-së për vendin kandidat; dhe
  • Takimet Dypalëshe, ku është vendi kandidat ai që duhet të prezantojë nivelin e tij të përafrimit me acquis dhe të shprehë gatishmërinë për përafrimin e tij tërësisht në të ardhmen.

Përgjithësisht procesi screening zgjat nga 1 deri në 2 vite. Më pas Komisioni harton raportin screening ku i paraqet vendeve anëtare gjetjet sa i takon nivelit të përgatitjes së vendit kandidat për anëtarësim për çdo kapitull negociues. Konkluzioni i këtij raporti është rekomandimi për të hapur drejtpërdrejt negociatat ose për të vendosur kritere të caktuara për hapjen- piketat për hapjen (opening benchmarks)– të cilat duhen përmbushur.

Para se të nisin negociatat për kapituj specifik, vendi kandidat duhet të depozitojë pozicionin e tij negociues, ndërsa BE miraton pozicionin e saj të përbashkët. Për shumicën e kapitujve BE cakton piketa përfundimtare (closing benchmarks), të cilat duhen përmbushur nga vendi kandidat para se të mund të mbyllen negociatat në kapitullin respektiv.

Kohëzgjatja e negociatave varet nga shpejtësia e zbatimit të reformave dhe përafrimit të legjislacionit të BE-së (acquis) nga vendi kandidat. Pasi arrihet një marrëveshje mes BE-së dhe vendit kandidat, si dhe pasi të jenë përmbushur piketat përfundimtare, kapitulli respektiv konsiderohet “pjesërisht i mbyllur”. Në çdo rast, negociatat nuk konsiderohen të mbyllura tërësisht për një kapitull, derisa çdo vend anëtar i BE-së të jetë plotësisht i kënaqur me progresin e vendit kandidat në kapitullin në fjalë. Procesi i negociatave përfundon vetëm pasi të jetë mbyllur çdo kapitull negociues, siç konfirmohet nga konkluzionet përkatëse të Këshillit Evropian.

Rezultatet e negociatave përfshihen në dispozitat e Traktatit të Anëtarësimit, i cili më pas nënshkruhet nga vendi kandidat dhe institucionet e BE-së dhe ratifikohet nga ky i fundit dhe çdo vend anëtar. Më pas, vendi kandidat bëhet anëtar i Bashkimit Evropian