Grupet Ndërinstitucionale të Punës

Grupet Ndërinstitucionale të Punës

Për secilin nga 35 kapitujt e acquis të Bashkimit Evropian krijohet një Grup Ndërinstitucional Pune. 

Grupet Ndërinstitucionale të Punës janë përgjegjës për: 

analizën e politikave, legjislacionit, financimit, investimeve, procedurave administrative, ndërveprimit social dhe të sipërmarrjes private, dhe zbatimit gjyqësor për fushën përkatëse të mbuluar nga kapitulli përkatës i acquis;

përgatitjen e vlerësimit analitik të harmonizimit të legjislacionit vendas me acquis të Bashkimit Evropian;
 
përgatitjen e projekt-propozimeve për qëndrimet negociuese për çdo kapitull të acquis të Bashkimit Evropian;
 
përgatitjen e dokumentacionit dhe raporteve vlerësuese mbi Piketat Paraprake (“opening benchmarks”), Piketat e Ndërmjetme (interim benchmarks) dhe Piketat Përfundimtare (“closing benchmarks”) për kapitullin përkatës duke përfshirë edhe diskutimet apo qëndrimet e dala në negociata për atë kapitull;
 
analizimin në mënyrë periodike të kapacitetet administrative dhe rekomandimin për forcimin e tyre kur është e nevojshme;
 
përcaktimin e prioriteteve të procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian, etj.

Grupi Ndërinstitucional i Punës kryesohet nga një zëvendës ministër ose Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë përgjegjëse në varësi të fushës së kompetencës dhe lidhjes së saj me kapitullin përkatës të acquis të Bashkimit Evropian, apo përfaqësuesi i institucionit të pavarur, kur fusha e kompetencës për kapitullin e caktuar të acquis i takon një institucioni të pavarur. Kryetari i secilit Grup Ndërinstitucional të Punës administron grupin e punës në përputhje me kërkesat e anëtarit të Grupit Negociator përgjegjës për negociatat për kapitullin në fjalë. Kryetari dhe anëtarët e secilit prej Grupeve Ndërinstitucionale të Punës emërohen me Urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrave apo drejtuesve të institucioneve të pavarura përgjegjëse.

Kryetarët e Grupeve Ndërinstitucionale të Punës organizojnë Komitetin Teknik të Grupeve Ndërinstitucionale të Punës, i cili shërben kryesisht si forum për diskutimin dhe zgjidhjen dhe mosmarrëveshjeve mes Grupeve Ndërinstitucionale të Punës.